Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Origjina”.
Sekuestrohen 4 pasuri me vlerë rreth 287 000 euro, të dyshuara produkt i veprimtarive kriminale jashtë vendit.
Pronari, i dënuar në Itali me 9 vjet burgim dhe 60 000 euro gjobë, për pjesëmarrje në grup kriminal për shfrytëzim prostitucioni.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një hetimi pasuror të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ekzekutuan gjatë operacionit “Origjina”, vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e 2 apartamenteve dhe 2 automjeteve në pronësi të shtetasit A. L., 53 vjeç.
4 pasuritë dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale të 53-vjeçarit në Itali, ku ka qenë i dënuar me 9 vjet burgim dhe 60 000 euro gjobë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.