Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Finalizohet operacioni policor i koduar “MILANO”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 2 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.
Në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “MILANO”, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit K. M., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Ky shtetas, më datë 15.03.2021, është ekstraduar drejt Italisë, pasi është arrestuar gjatë një operacioni nga Policia e Tiranës, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja në rrethana rënduese” dhe “Trafik droge”.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2.000.000 euro, konkretisht:
•Një ndërtesë katërkatëshe, një sipërfaqe trualli, dy sipërfaqe toke (ara), një subjekt me veprimtari në fushën e prodhimit të ujit të pijshëm dhe një subjekt bar-kafe.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.