Finalizohet operacioni policor i koduar “Mbikalimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Qarkullonte me pistoletë dhe thikë në automjet, vihet në pranga 25-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një krehër, municion luftarak, një armë e ftohtë (thikë) dhe veshje të ndryshme (uniformë) si ato të Policisë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se me një automjet tip “Fiat”, po lëvizte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Mbikalimi”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– Rr. H., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Te mbikalimi i Rinasit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin Rr. H., 25 vjeç.
Gatë kontrollit të automjetit që ky shtetas drejtonte, janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një krehër, municion luftarak dhe një armë e ftohtë (thikë).
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës, u gjetën u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, veshje të ndryshme si ato të Policisë dhe municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.