Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Liqeni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 1.
Arrestohen në flagrancë dy shtetas.
Sekuestrohen dozat me kanabis, gati për shitje, dhe shuma parash të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Liqeni”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit M. O., 27 vjeç, dhe K. S., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 1, kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin M. O., të cilit gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto doza i kishte siguruar nga shtetasi K. S. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi K. S., pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e shiste atë në zonën e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike dhe shuma parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.