Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “LIABILITY-3”

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “LIABILITY-3”.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të kryer me metoda speciale të hetimit.

Gjatë këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë:

  • “Arrest në burg”, për shtetasit A. D., 35 vjeç, A. G., 36 vjeç, E. M., 51 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të gjithë banues në Tiranë;
  • “Arrest në shtëpi”, për shtetaset K. S., 36 vjeçe, E. I., 42 vjeçe, A. T., 39 vjeçe, dhe J. D., 35 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë.

Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasit A. K., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas, duke qenë me detyrë përmbarues gjyqësor privat, kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë iu ka hequr atyre, licencën për ushtrimin e detyrës si përmbarues gjyqësor.

3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve, kanë krijuar skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja. Subjekte të ndryshme, në kushtet e mirëbesimit, janë mashtruar për të marrë kredi të reja te institucionet financiare, për të likuiduar kredi të vjetra që ata kishin në banka, dhe këto kredi ishin blerë nga një institucion financiar. Me marrjen e një kredie të re nga ky institucion, zhbllokoheshin përkohësisht pasuritë dhe llogaritë e debitorëve, por më vonë dilte një kërkesë e re për likuidimin e shumave të tjera.

Materialet i kaluan Prokurorisë.