Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Komuna”

Operacioni, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Lëvizte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 20-vjeçari.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në Komunën e Parisit, po lëvizte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Komuna”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– S. T., 20 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në Komunën e Parisit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin S. T., i cili sapo ka vënë re shërbimet e Policisë, ka tentuar të futet në një taksi. Pasi është ndaluar, gjatë kontrollit të një çante lëkure që 20-vjeçari kishte me vete, janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.