Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Informaliteti”.
Bllokohet një karburant në Paskuqan, në të cilin shiteshin hidrokarbure pa kuponë.
Arrestohet pronari i subjektit, pasi nuk kishte as fatura blerjeje për lëndët hidrokarbure, të cilat dyshohet se i kishte kontrabanduar.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizoi operacionin policor të koduar “Informaliteti”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi B. M., 47 vjeç, pasi në karburantin që kishte në pronësi, në rrugën “Hasan Zylfia”, Paskuqan, shiteshin lëndë hidrokarbure, pa kuponë, për të cilat nuk disponoheshin as fatura blerjeje.
Gjithashtu, u bllokua ky subjekt, deri në verifikimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.