Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Influence”

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Influence”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Zbardhen 3 raste të vjedhjes, të kryera në Tiranë, gjatë muajit mars.

Vihet në pranga autori i dyshuar, i cili kishte shtytur një shtetas të mitur (15 vjeç), për të vjedhur me të.

Procedohet në gjendje të lirë 15-vjeçari, bashkëpunëtor në vjedhje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Influence”.

Si rezultat i këtij operacioni:

-u vu në pranga shtetasi R. Ll., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe “Shtytja e të miturve në kërkim”;

-nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një shtetas të mitur 15 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 13 mars 2023, kanë tentuar të vjedhin në një farmaci, ndërsa më datë 15 mars 2023, kanë vjedhur shuma parash, në 2 subjekte të ndryshme.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.