Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Grab”

Operacioni, për zbardhjen e rasteve të përsëritura të vjedhjes së biçikletave dhe monopatinave.

Arrestohet autori i dyshuar i 6 rasteve të vjedhjes së këtyre mjeteve, si dhe procedohen penalisht 2 shtetas të cilët dyshohet se duke patur dijeni, blinin sendet e vjedhura.

Sekuestrohen 2 biçikleta të dyshuara të vjedhura.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm, për raste të vjedhjes së biçikletave apo monopatinave të tyre, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Grab”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi N. Z., 51 vjeç, banues në Tiranë, dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. Z., 43 vjeç dhe I. L., 60 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi N. Z., gjatë 2 muajve të fundit, ka kryer 6 vjedhje të biçikletave dhe monopatinave, në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa shtetasit K. Z. dhe I. L. dyshohet se duke patur dijeni për veprimtarinë kriminale të 51-vjeçarit, blinin mjetet e vjedhura.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 biçikleta të dyshuara të vjedhura.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga shtetasi N. Z.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.