Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fokusi”. Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fokusi”. Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.

Mbante armë zjarri pistoletë, kapet në flagrancë ndërkohë që qarkullonte në një automjet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Procedohet penalisht drejtuesi i automjetit, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen pistoleta me municion luftarak, automjeti dhe 2 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për 2 shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fokusi”, si rezultat i të cilit u godit një rast i armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit, në urën e Babrroit, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin F. B. dhe pasagjer E. M. Gjatë kontrollit në automjetit, në derën e pasagjerit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi E. M. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi E. M., 31 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. B., 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, të dy banues në Tiranë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.