Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Daily rent”.
Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, një rast i shfrytëzimit të prostitucionit.
Vihet në pranga 1 shtetas brazilian që shfrytëzonte një 24-vjeçare (shtetase braziliane), për prostitucion, në ambiente që i merrte me qira ditore.
Vihet në pranga dhe 24-vjeçarja që ushtronte prostitucionin.
Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë.
Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas një pune intensive hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Daily rent”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit brazilianë:
-A. M., 25 vjeç, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
-G. C., 24 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. P., 22 vjeç, dhe E. K., 20 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. M. shfrytëzonte për prostitucion, shtetasen G. C., e cila e ushtronte këtë aktivitet në ambiente që shtetasi A. M. i merrte me qira ditore.
Gjatë ndërhyrjes në një banesë që e kishte marrë me qira ditore, shtetasi A. M., në bulevardin “Zogu i Parë”, për ushtrimin e kësaj veprimtarie, u konstatuan 24-vjeçarja dhe shtetasit R. P. dhe E. K.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.