Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Catch 2”.
Të dënuar për dhënie ndihmë kundrejt pagesës, emigrantëve që synojnë të lëvizin ilegalisht, ose për posedim armësh të ftohta, kapen 2 shtetas.
Si rezultat i kontrolleve intensive nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Konkretisht:
-Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. T., 45 vjeç, të cilin Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet e 2 muaj burgim.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin Z. M alias Z. M., 59 vjeç, të cilin Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.