Tiranë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “In time”

Tiranë/Finalizohet pas një pune të mirorganizuar, operacioni policor antidrogë i koduar “In time”. Goditet 1 rast i shitjes së lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 800 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

Vihet në pranga 25-vjeçari që i posedonte me qëllim shitjen në sasi.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, mbështetur dhe nga informacionet e siguruara se një shtetas shiste lëndë narkotike në kryeqytet, kanë vijuar kontrollet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tij.

Si rezultat, në kuadër të operacionit “In time”, u identifikua, u kap në flagrancë në rrugën “Njazi Demi” dhe u arrestua shtetasi:

-R. D., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 25-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën 800 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, që ai i posedonte me qëllim shitjen në sasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.