Tiranë – Finalizohet operacioni “Përsëritësit”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2.

Vihen në pranga tre shtetas.

I vjedh celularin në rrugë nga çanta një shtetaseje, identifikohet dhe arrestohet autori. Në pranga 37-vjeçari, i dënuar më parë me 18 muaj burg për vjedhje.

Në pranga edhe dy shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se kanë kryer disa vjedhje banesash e marketesh.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2,  në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënë para përgjegjësisë ligjore të autorëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Përsëritësit”, si rezulat i të cilit u kapën dhe u ndaluan shtetasit:

P. K., 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë me 18 muaj burg për vepren penale “Vjedhja”.

E. R., 34 vjeç, lindur dhe banues në Sauk, Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh.

R. M., 25 vjeç, lindur dhe banues në Sauk, Tiranë.
Shtetasi P.K., në rrugën “Myslym Shyri”, i ka vjedhur një shtetasje, nga çanta e krahut, celularin iPhone XS Max. Në cilësinë e provës materiale u sekestrua celulari i vjedhur nga 37-vjeçari. Po ky shtetas dyshohet edhe për vjedhje të tjera, të kryera në këtë formë dhe vijon puna për dokumentimin e tyre.

Ndërsa shtetasit E.R dhe R.M në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur çelësin e banesës së shtetases L.A, kanë vjedhur në kohë të ndryshme, gjatë muajit korrik dhe gusht të këtij viti lekë, euro, bizhuteri, celularë, një kartë bankomati në emër të shtetases L. A., me anë të së cilës kanë kryer tërheqje lekësh në bankomat nga llogaria e kësaj shtetaseje.

Shtetasit E.R. dhe R.M. dyshohet se kanë kryer vjedhje të një marketi, një varëse floriri, të cilën ja kanë marrë nga qafa një shtetaseje dhe vjedhje banesash, për të cilat vijon puna për dokumentimin e tyre.

Materialet e para procedurale do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Vjedhja”, në ngarkim të shtetasit P.K dhe për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim për shtetasit E.R dhe R.M.