Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Pasagjeri”, sekuestrohet 1 pistoletë

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Pasagjeri”.

Lëvizte i armatosur me pistoletë, arrestohet nga Forca “Shqiponja”, në bulevardin “Zhan D’ark”, 31-vjeçari.

Procedohet penalisht drejtuesi i automjetit në të cilin ishte pasagjer shtetasi i armatosur, për moskallëzim të krimit.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër dhe me municion.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit për një shtetas që lëvizte i armatosur, siguruar në rrugë operative, në vijim të punës me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që mbajnë armë, pa leje, dhe si pasojë janë rrezik potencial për ngjarje kriminale, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, finalizuan operacionin e koduar “Pasagjeri”.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në bulevardin “Zhan D’ark”, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin S. Z., 51 vjeç dhe me pasagjer shtetasin K. S., 31 vjeç. Nga kontrollet, 31-vjeçarit iu gjet në çantën e dorës, 1 armë zjarri pistoletë me municion, që posedohej pa leje.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi K. S. u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa shtetasi S. Z. u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.