Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Green pack”, për goditjen e shpërndarjes së lëndës narkotike kanabis.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë.
Sekuestrohen një pako me lëndë narkotike kanabis, me peshë 1.1 kg, një peshore elektronike dhe dy aparate celulare.
Arrestohet në flagrancë 30-vjeçari që e transportonte me automjet, pakon me lëndë narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Green pack”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– R. Rr., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë lokalizuar dhe ndaluar, në rrugën “Nikolla Tupe”, automjetin me drejtues shtetasin R. Rr. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 1.1 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një peshore elektronike dhe dy aparate celulare.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit R. Rr.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.