Tiranë – Finalizohet operacioni “Fresku”, 1 person në pranga

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve.

Operacioni policor i koduar “Fresku”, zhvilluar nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.

Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 45-vjeçari.

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, 1 shotgun, një sasi fishekësh dhe një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.

Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë kanë marrë informacion në rrugë operative se një shtetas në zonën e Freskut qarkullonte në orët e pasdites, duke mbajtur me vete armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fresku”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. G., 45 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, nga kontrolli fizik në çantën e dorës, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe një sasi e vogël lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Ndërsa gjatë kontrollit në banesë këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një tjetër armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një armë gjahu shotgun dhe një sasi fishekësh luftarak.

Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.