Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Kompjuterik.
Përdorte të dhënat e shtetasve të tjerë për të hapur llogari false në rrjete sociale, vihet në pranga 39-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Kompjuterik në DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A. V., se një shtetas hapte llogari në rrjetet sociale me të dhënat dhe fotot e saj personale, në mënyrë të vazhdueshme, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Username” u ndalua, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, shtetasi:
– E. M., 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Pas verifikimeve të kryera nga specialistët e Krimit Kompjuterik ka rezultuar se ky shtetas ka hapur në mënyrë të vazhdueshme, llogari false në rrjetet sociale, me gjeneralitetet dhe fotot e shtetasve të tjerë.
Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, është duke hetuar të gjitha rastet e denoncimeve nga qytetarët, për keqpërdorimin e të dhënave personale për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale dhe çdo rast tjetër të falsifikimit kompjuterik, vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon dënimin me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet