Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Legalizimi i fundit”

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Vihen në pranga 4 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Legalizimi i fundit”, në kuadër të të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– P. T., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist jurist në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

– L. G., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist hartograf në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

– A. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, ish-specialist hartograf në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

– H. S., 60 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit L. G., A. D., P. T., me detyrë specialistë juristë dhe hartografë në Drejtorinë Rajonale e ASHK “Rurale 1” Tiranë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të kundraligjshme dhe në kundërshtim me Ligjin Nr.111/2018 “Për Kadastrën“, kanë regjistruar një ndërtesë në favor të shtetasit H. S, ndërsa shtetasi H. S., ka paraqitur dokumente të falsifikuara për regjistrimin e një ndërtese në favor të tij, në Drejtorinë Rajonale të ASHK “Rurale 1” Tiranë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.