Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Last box”

Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.

Sekuestrohen mallra të ndryshëm, të dyshuar të kontrabanduar.

Vihen në pranga 2 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last box”.

Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– A. L., 50 vjeç dhe D. K., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt shërbimi postar, në rrugën “Eshref Frashëri”, me administrator shtetasin D. K. dhe ortak shtetasin A. L., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra dhe produkte të ndryshme, pa faturat tatimore përkatëse apo deklarata doganore për origjinën e tyre.

Gjatë kontrollit në këtë subjekt janë gjetur edhe 2 shtetase, të punësuara në mënyrë të paligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.