Finalizohen me sukses, brenda 12 orëve, 2 operacione policore të zhvilluara nga Komisariati i Policisë Nr. 3 dhe Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni policor i koduar “Green”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3. Vihet në pranga 1 shtetas, sekuestrohen 2 kg e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa.
Operacioni policor i koduar “Dealers”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, të cilët shpërndanin lëndë narkotike në doza.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, nga Komisariati i Policisë Nr. 3 dhe Komisariati i Policisë Nr. 6, janë finalizuar dy operacione policore, në kuadër të të cilëve janë arrestuar 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Green”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 30 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Princ Vidi”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 kg e 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.
Ky shtetas, pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e ndante dhe e shiste atë më pas në doza, në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.
—
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Dealers”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. S., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi B. K.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në doza të vogla, në Unazë të Re dhe në Yzberisht.
Gjatë kontrollit ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit të automjetit që drejtonte shtetasi S. S., shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde narkotike të llojit cannabis sativa, të ndarë në doza, gati për shitje.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. S., u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe sasisë e ndarë në doza.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.