Tiranë/Vijon puna nga Komisariati i Policisë Nr. 3, për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes.
Dokumentohen me prova ligjore disa vjedhje monopatinash të kryera nga 3 të mitur, në zona të ndryshme të Tiranës.
Sekuestrohen 8 monopatina, të dyshuara të vjedhura.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan në gjendje të lirë 3 të mitur për veprën penale “Vjedhja” kryer më shumë së njëherë, si dhe prindërit e tyre, shtetasit L. M., 46 vjeçe, M. M., 32 vjeçe, dhe H. G., 44 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal.
3 të miturit dyshohet se kanë vjedhur disa monopatina në zona të ndryshme të Tiranës.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrolleve të banesave të tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 8 monopatina të dyshuara të vjedhura.
Materialet i kaluan Prokurorisë.