Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Po nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ekzekutimi i vendimit për shtetasin në kërkim L.(A). J., 34 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. B., 37 vjeç, pasi u konstatua jashtë banesës së tij, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. Gj., 53 vjeç dhe A. Gj., 46 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive pronësie. Gjithashtu, shtetasi B. Gj. ka dëmtuar me sende të forta mjetin e A. Gj.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
A. Ç., 48 vjeç, A. L., 22 vjeç dhe I. M., 48 vjeç, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.