Tiranë/Arrestohen 7 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve:
- arrestuan shtetasin A. C. (Ç.), 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin M. S., 18 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrolleve fizike, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan shtetasit A. C. (Ç)., një armë zjarri pistoletë, me krëhër dhe municion luftarak, ndërsa shtetasit M. S., i gjetën dhe sekuestruan sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis;
- ndaluan shtetasin P. I., 28 vjeç, banues në Tiranë, shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ndaluan shtetasin Frensis Mançka, 41 vjeç, banues në Itali, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin J. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe ka kundërshtuar me forcë një punonjës policie, gjatë kryerjes së detyrës.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
- R. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi në Babrru, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin B. H., 60 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
- B. N., 30 vjeç, banues në Kamëz, pasi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, ka aksidentuar shtetasin P. M., 72 vjeç, banues në Tiranë, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
– E. M., 52 vjeç, banues ne Tiranë, pasi në Rrugën e Dibrës, te kryqëzimi i spitaleve, duke drejtuar motomjetin ka aksidentuar shtetasen M. B., 54 vjeçe banuese në Patos, e cila gjatë rënies në tokë është përplasur me shtetasen V. D., 34 vjeçe, banuese në Sukth. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i motomjetit së bashku me bashkëshorten e tij, (pasagjere në motomjet) dhe dy shtetaset e mësipërme të cilat ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po punohet për kapjen e shtetasit R. K., 56 vjeç, banues në Tiranë, pasi te Parku i Liqenit Artificial, pranë një shkolle private, dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dhe ka kërcënuar me një mjet prerës, një 34-vjeçare.
Materialet i kaluan Prokurorisë.