Tiranë/Arrestohen 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan vendimin penal për shtetasin E. T., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ekzekutuan vendimin penal për shtetasin në kërkim A. R., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit M. Gj., 62 vjeç, dhe G. A., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin A. Ll., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se i ka vjedhur çantën me sendet personale, një shtetaseje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasen Dh. M., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi te sheshi “Skënderbej” dyshohet se i ka vjedhur çantën një shtetaseje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasit:
– F. N., 59 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën nacionale “Kamëz-Zallher”, është konstatuar duke hedhur materiale inerte, në një sipërfaqe toke të shpyllëzuar, në breg të lumit Tërkuz;
– I. Sh., 21 vjeç, banues në Bathore, Kamëz, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, duke u prezantuar në emër të një shtetasi tjetër, në një dyqan telefonash në Kamëz, ka marrë një telefon, të cilin më pas e ka shitur në një dyqan tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin Xh. B., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës thikë, një shkop bejsbolli dhe dy targa automjeti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 7 ndaluan shtetasin E. M., 35 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mashtrimi”.
Gjithashtu, po nga këta specialistë u arrestua shtetasi N. K., 43 vjeç, banues në Vorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin E. R., 43 vjeç, banues në Fier, pasi duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasen F. M., e cila si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën në spital.
–
Më datë 11.12.2024, rreth orës 21:00, në autostradën Thumanë-Kashar, shtetas të paidentifikuar i kanë vjedhur sendet personale (një portofol me mjet identifikimi dhe një aparat celular) shtetasit H. Q. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë.