Tepelenë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”.
Kanosi me armë zjarri, për motive të dobëta, 1 shtetas dhe më pas u largua, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari, i shpallur prej një jave në kërkim.
Gjendet në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan dhe sekuestrohet arma e zjarrit (kallashnikov) dhe një sasi municioni luftarak.
Si rezultat i intensifikimit të kërkimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Këlcyrë dhe me shërbimet e DVP Gjirokastër, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, në fshatin Peshtan, Këlcyrë, organizuan punën për kapjen e tij.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit E. T., 42 vjeç, banues në fshatin Peshtan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi më datën 02.11.2025, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në ajër për të kanosur shtetasin V. M., 48 vjeç, banues në fshatin Peshtan.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit me të cilën dyshohet se ky shtetas ka kanosur 48-vjeçarin, si dhe një sasi municioni luftarak, të cilat 42-vjeçari i kishte fshehur menjëherë pas ngjarjes.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë gjahu dhe 1 gjerdan me fishekë gjuetie, të cilat i posedonte pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

