Vihet në pranga një person me rrezikshmëri shoqërore, i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe FNSH Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet policore se në fshatin Buz, Memaliaj, ndodhej një person i shpallur në kërkim, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor “Antenat”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja e shtetasit O. A., 28 vjeç, banues në Tiranë (me precedent në mëparshëm penal, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Kanosja”, “Vjedhja”, “Mashtrimi”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 13.10.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Materialet në ngarkim të shtetasit O. A. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.