Monitorim i qarkullimit në Rrugën e Kombit, me makinën inteligjente dhe me radarin automatik. Monitorim edhe në akset kryesore nacionale, nga Morina nga Sarandë, duke përdorur radarët automatikë, kamera, aparate fotografike dhe mjete të paloguara.
Shpejtësi deri në 179 km/h në Rrugën e Kombit dhe në akse të tjera rrugore.
Prej mëngjesit të sotëm deri në orën 14:30, makina inteligjente dhe radari automatik kanë skanuar shpejtësi 139 km/h deri në 179 km/h, në Rrugën e Kombit.
78 leje drejtimi të pezulluara, për shpejtësi deri në 179 km/h, dhe 129 masa administrative për shpejtësi nga 20 deri në 30 km/h mbi normën e lejuar, pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.
Gjithashtu, gjatë monitorimit janë konstatuar shumë drejtues mjetesh, të cilët, krahas qarkullimit me shpejtësi përdornin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit, si dhe nuk kishin vendosur rripin e sigurimit, konkretisht:
٠35 drejtues janë evidentuar duke i kryer të treja shkeljet njëkohësisht, qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, mosvënie të rripit të sigurimit, si dhe përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit. Masat administrative për këta drejtues mjetesh, kanë variuar nga 30.000 lekë të rinj deri në 100.000 lekë të rinj.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi Policia Rrugore nuk është në aksion, por është në punë 24/7, vetëm për qëllimin madhor, parandalimin e aksidenteve rrugore.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes që të mos abuzojnë me rregullat e qarkullimit, pasi të gjitha akset rrugore të vendit vijojnë të monitorohen nga makina inteligjente dhe nga mjete të paloguara të Policisë Rrugore.
Shpejtësia, alkooli dhe garat të ndërpresin rrugëtimin e jetës.
#zbatorregullatudhëtoiisigurtë
Respekto rregullat e qarkullimit, shpëto jetë!