SIGURIA RRUGORE/Kontrolle intensive në të gjithë vendin

SIGURIA RRUGORE

Kontrolle intensive në të gjithë vendin.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në të gjitha qarqet e vendit, me fokus të veçantë tek përdoruesit e patinave elektrike, ciklomotorëve, shpejtësisë tej normave të lejura etj.

Për patinat elektrike me motor elektrik deri në 0.25 kf dhe shpejtësi maksimale deri në 25 km/orë, përdorimi duhet të bëhet duke respektuar të gjitha rregullat e qarkullimit.

Për ciklomotorët, përfshirë motomjetet/patinat elektrike me shpejtësi maksimale mbi 25 km/orë e deri në 45 km/orë, drejtuesit duhet të kenë mbushur moshën 16 vjeç dhe të jenë të pajisur me lejedrejtimi të kategorisë AM.

✅ Kontrollet janë intensifikuar gjithashtu edhe për:

drejtimin e automjeteve dhe motomjeteve nën efektin e alkoolit;

përdorimin e celularit gjatë drejtimit;

mosvendosjen e rripit të sigurimit;

parakalimet e gabuara.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje që cenon sigurinë rrugore.