Siguria rrugore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në orët e vona të mbrëmjes ka inspektuar në terren funksionimin e radarëve edhe gjatë natës në disa akse rrugore.
Drejtor Veliu ka komunikuar drejtpërdrejt me punonjësit e Policisë Rrugore që kryejnë shërbim me radar dhe me patrullat e tjera të policisë rrugore ku u ka kërkuar tolerancë zero, të mos tolerohet asnjë rast i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore e pasoja për jetën e përoruesve të rrugës.
Gjatë inspektimit tek mbikalimi në rrugën interurbane Tiranë- Elbasan, në segmentin Sauk-Teg te mbikalimi, Drejtor Veliu ka parë nga afër disa shkelje të përdoruesve të rrugës që qarkullonin me shpejtësi nga 133 km/orë deri në 170 km/orë.
Gjatë bisedës me punonjësit e Policisë Rrugore Drejtori i Përgjithshëm është shprehur se breda pak ditësh do jenë në dispozicion të Policisë Rrugore edhe 4 radarë të tjerë, kamera dhe mjete të pauniformuara për të patrulluar në të gjitha akset rrugore, kryesisht në ato ku janë konstatuar edhe aksidente me pasoja fatale për jetën, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkelësi të kodit rrugor, kryesisht shpejtësi tej normave të lejura, parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, përdorim të celularit gjatë drejtimit të auotmjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe kaskës mbrojtëse si dhe shkelje të semaforit.