Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
Vihet në pranga personi i dytë i shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në shkurt 2020.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin të Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim H. M., 24 vjeç, banues në lagjen “Naim Gjylbegu”, Shkodër.
Ndalimi i tij u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Plagosja e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 12.02.2020, në vendin e quajtur “Parrucë”, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, duke udhëtuar me mjetin tip “Benz ML”, së bashku me shtetasin G. U. , janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin T. A., 32 vjeç, banues në Shkodër, të cilin e kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të lehta dhe më pas janë larguar.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.