Shkodër/Sekuestrohen 44 kuti me lëndë piroteknike që u gjetën në një dyqan

Shkodër/Vijojnë kontrollet në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit.

Sekuestrohen 44 kuti me lëndë piroteknike që u gjetën gjatë kontrollit në një dyqan në qytetin e Shkodrës.

Procedohet penalisht pronarja e dyqanit.

Si rezultat i kontrolleve intensive që po kryhen nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, nga subjekte të paautorizuara, në prag të festave të fundvitit, është goditur një rast i shitjes së këtyre lëndëve, në një dyqan në lagjen “Tre Heronjtë”.

Gjatë kontrollit në dyqanin e shtetases S. P. u gjetën 44 kuti me lëndë piroteknike (kapsolla), të ndaluara për tregtim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen S. P.

Kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë qarkun.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.