Ndalohet nga Policia, për veprën “Mashtrimi”, një 22-vjeçar që kishte marrë kredi në emër të një shtetasi tjetër.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, pas hetimeve intensive u bë identifikimi dhe ndalimi i shtetasit J. D., 22 vjeç, banues ne lagjen “Salo Halili” Shkodër.
Ndalimi i tij u bë pasi më datë 25.11.2020, ka bërë kallëzim shtetasi A. T., i cili figuron debitor pranë një banke të nivelit të dytë, fakt për të cilin nuk ka patur dijeni. Ky shtetas ka deklaruar se nuk kishte kryer veprime në bankë dhe se kishte humbur kartën ID.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për kredinë e marrë është lënë një numër kontakti, i cili pas verifikimeve të kryera dhe nga informacioni i marrë nga institucioni financiar, ka rezultuar se është në emër të shtetasit J. D.
Emri dhe numri i këtij shtetasi paraqitet si kontakt alternativ në disa raste të praktikave të kredive, konkretisht për kredi të marra nga shtetas të ndryshem, të cilët sipas informacionit të bankës, deklarojnë se nuk kanë aspak dijeni për kryerjen e këtyre veprimeve.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Mashtrimi”.