Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Square”

Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Square”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.

Lëvizte me armë zjarri pistoletë, në qytet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 44-vjeçari.

Sekuestrohet pistoleta me krehër me fishekë. Pistoleta do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë.

Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, duke evidentuar dhe goditur veprimtaritë kriminale, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri, në qytet, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Square”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi I. M., 44 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë operacionit, në sheshin “Isa Boletini”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin në të cilin qarkullonte shtetasi I. M., i dyshuar për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit fizik, atij i është gjetur një armë zjarri pistoletë me një krehër me 14 fishekë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.