Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Servisi”

Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Servisi”, sekuestrohen 1 armë zjarri, 2 radio dhe pajisje të tjera si ato të Policisë dhe një armë e ftohtë.

Operacioni, falë inteligjencës informative, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në Shkodër, për kapjen e shtetasve që qarkullojnë të armatosur.

Mbante në automjetin me të cilin qarkullonte, radio si të Policisë, për të monitoruar lëvizjet e shërbimeve të Policisë, arrestohet në flagrancë 52-vjeçari.

Gjatë kontrollit në servisin në pronësi të 52-vjeçarit, u gjetën një armë zjarri pistoletë (me fishekë në fole, gati për qitje), municion luftarak, një radio tjetër si e Policisë, shkop metalik dhe tabelë si ato të Policisë dhe një armë e ftohtë (dorezë metalike).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me strukturat operacionale dhe ato hetimore të DVP Shkodër, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Servisi”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi B. H., 52 vjec, banues në lagjen “3 Heronjt”, Shkodër, i cili u kap teksa mbante në automjet, një radio si të Policisë për të kontrolluar lëvizjet e shërbimeve të Policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin në pronësi të shtetasit B. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, municion luftarak, një radio tjetër si e Policisë (gjithsej 2 radio të sekuestruara), shkop metalik dhe tabelë si ato të Policisë dhe një armë e ftohtë (dorezë metalike).

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.