Policia Rrugore në të gjithë vendin ka intensifikuar masat dhe ka shtuar mjetet logjistike, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe garantimin e një qarkullimi sa më normal të automjeteve.
Në zbatim edhe të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë analizës 3-mujore, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë organizuar punën, duke u fokusuar në ato shkelje, që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, si: përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara, manovrat e rrezikshme në rrugë, shpejtësia tej normave të lejuara, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe mospërdorimi i rripit të sigurimit nga drejtuesi i mjetit apo pasagjeri. Evidentimi dhe ndëshkimi i këtyre shkeljeve kanë qenë në fokusin e punës së Policisë Rrugore, gjatë 10-ditëshit të fundit.
Si rezultat, gjatë kësaj periudhe:
•Janë goditur 17 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer, shumica e rasteve janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës.
•Për herë të parë nga Policia Rrugore e Tiranës është aplikuar testi i drogës dhe është vënë në pranga një drejtues mjeti që drejtonte mjetin në efektin e drogave të forta.
•66 persona janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi;
•819 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor;
•Janë vendosur 22 739 masa administrative, me një mesatare prej 2274 masash në ditë, konkretisht për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparatit celular, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara, për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësise këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për qëndrime të gabuara etj.
Gjithashtu, pajisja e re e leximit automatik të targave të mjeteve ka evidentuar 1563 automjete që ishin ndëshkuar më parë me disa masa administrative që varionin nga 3-7 masa. Nga përdorimi i makinës inteligjente “Poliscan” janë vendosur 2153 masa për shpejtësi tej normave të lejuara. Disa nga drejtuesit e mjeteve janë evidentuar duke kryer 2 ose 3 shkelje njëherësh: shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim i celularit gjatë drejtimin te mjetit dhe mospërdorim i rripit të sigurimit.
Nisur nga evidentimi i këtyre shkeljeve dhe nga denoncimet e shumta të ardhura në Komisariatin Dixhital, në të cilin qytetarët denoncojnë çdo ditë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, Policia Rrugore do të analizojë situatën, duke përdorur forma dhe metoda të reja për parandalimin e këtyre shkeljeve, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë, sepse Policia e Shtetit nuk ka qëllim të rrisë numrin e masave administrative, por ka vetëm një qëllim, parandalimin e aksidenteve rrugore.
Duke marrë parasysh se gjatë fundjavës ka fluks të shtuar në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të krijuar më shumë rregull e siguri në rrugë, në favor të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Gjithashtu fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 ose në Komisariatin Dixhital.