Shëngjin
Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur gjetjen e dy fëmijëve që ishin larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.
Punonjësit e Policisë në Shëngjin dhe forcat “Shqiponja” i dorëzojnë familjarëve, në gjendje të mirë shëndetësore, një fëmijë 7-vjeçar me aftësi ndryshe nga Kosova dhe një fëmijë 10-vjeçar nga Maqedonia e Veriut.
Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua fillimisht nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot. Pak më vonë, u raportua edhe largimi i një fëmije tjetër, 10-vjeçar, nga një familje maqedonase.
Menjëherë pas marrjes së njoftimeve, shërbimet e rendit të Stacionit të Policisë Shëngjin u angazhuan për kërkimin e 7-vjeçarit, ndërsa forcat “Shqiponja” u përfshinë në kërkimin e 10-vjeçarit.
Pas kërkimeve në terren, të dy fëmijët u lokalizuan në zona të ndryshme të plazhit dhe ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore. Ata iu rikthyen menjëherë familjarëve të tyre.
Prindërit e fëmijëve kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturve.