Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, për garantimin e rendit dhe sigurisë, gjatë aktivitetit UNUM Festival 2022, që u zhvillua gjatë javës së parë të muajit qershor, në Shëngjin, shërbimet e Policisë Lezhë u angazhuan maksimalisht për parandalimin e ngjarjeve kriminale, konflikteve dhe aksidenteve rrugore.
Zbatimi i masave është monitoruar nga afër nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Bushati, Zv/Drejtori për Hetimin e Krimeve Drejtues Alfred Nomani, Zv/Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publikë Drejtues Alfred Elezi, shefi i Komisariatit të Policisë Lezhë Komisar Artur Hebaj dhe shefi i Stacionit të Policisë Shëngjin Nënkomisar Ardit Çela.
Gjatë 6 ditëve të festivalit janë angazhuar shërbime të Policisë së Rendit, Policisë Kriminale, Policisë Kufitare dhe Policisë Rrugore, të cilat kanë përdorur edhe pajisjet bashkëkohore si dronë, makina inteligjente të pajisura me radarë automatikë etj.
Gjatë këtyre ditëve janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 të tjerë, pasi, gjatë kontrolleve nga shërbimet e Policisë, u janë gjetur dhe sekuestruar sasi me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme. Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, pasi janë kapur duke drejtuar automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike, nën efektin e pijeve alkoolike ose pa leje drejtimi.
Falë masave të marra nga Policia, gjatë aktivitetit nuk është regjistruar asnjë ngjarje kriminale dhe asnjë incident mes pjesëmarrësve.
Policia e Lezhës falënderon të gjithë qytetarët, për bashkëpunimin e mirëkuptimin që treguan për zbatimin e masave kufizuese, deri në përfundimin e aktivitetit.