Shëngjin
Kreu manovra të rrezikshme duke përshkuar karrexhatën kundërvajtje, në aksin rrugor “Shëngjin–Velipojë”, ndëshkohet me masë administrative dhe sanksion plotësues për zbritjen e pikëve nga leja e drejtimit, drejtuesi i automjetit tip Audi.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, pas publikimit të një videoje në median sociale “JOQ Albania”, në të cilën shfaqej një automjet tip “Audi”, që kryente manovra të rrezikshme, duke përshkuar karrexhatën kundërvajtje në aksin rrugor “Shëngjin–Velipojë”, kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për identifikimin e drejtuesit të mjetit.
Nga verifikimet e kryera, u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të automjetit, shtetasi E. K., banues në Kurbin, i cili në zbatim të neneve 141 dhe 127 të Kodit Rrugor, u ndëshkua me masë administrative me vlerë 12 000 lekë të rinj si dhe me zbritjen e 10 pikëve nga leja e drejtimit, për shkeljet e kryera.
Policia Rrugore e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor që cenojnë sigurinë e të gjithëve në rrugë dhe i fton të vijojnë të denoncojnë, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform parashikimeve ligjore.