Shëngjin/Finalizohet operacioni i koduar “Aksi”

Shëngjin / Vijojnë kontrollet për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje

Finalizohet operacioni i koduar “Aksi”.

Qarkullonin me automjet me lëndë narkotike me vete dhe armë të ftohtë, tentuan t’i shmangeshin kontrollit të Policisë, por u kapën në flagrancë gjatë ndjekjes, vihen në pranga tre shtetas.

Procedohet penalisht dhe një 17-vjeçar, drejtuesi i automjetit.

Sekuestrohet lëndë narkotike kokainë, kanabis, një armë e ftohtë (thikë), municion luftarak dhe një automjet.

Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar operacionin, si rezultat i të cilit u goditën dy raste të veprimtarive kriminale në këto fusha.

Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Shëngjin-Kune”, shërbimet e Policisë, pas ndjekjes për disa minuta, ndaluan automjetin tip “Benz”, me të cilin po qarkullonin katër shtetas.

Gjatë kontrollit në automjet u gjet dhe u sekuestrua lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe kanabis, si dhe një mjet prerës (thikë).

Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit P. G., me precedent penal në fushën e narkotikëve, u gjetën dhe u sekuestruan 60 fishekë për armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve procedurale:

U arrestuan në flagrancë shtetasit M. M., 19 vjeç, H. I., 18 vjeç, dhe P. G., 26 vjeç, të tre banues në Shëngjin.

U procedua penalisht 17-vjeçari, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi në momentin e ndalimit nga Policia.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.