Fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu
Tematika që po diskutojmë sot është një ndër faktorët kryesorë që cënon lirinë e individit, grupit shoqëror apo rendin kushtetues.
Të diskutosh për terrorizmin duke e analizuar në të gjitha këndvështrimet, rezulton se terrorizmi është dhunë e paramenduar me qëllim ndikimin e opinionit publik për të arritur më pas në goditjen e oktiviteteve me natyrë politike, ushtarake apo ideologjike.
Këto akte kanë dy shënjestra, popullsinë ose institucionet e rëndësishme të një shteti.
Shkaqet e terrorizmit janë politike, për destabilizimin e një shoqërie, por edhe për hakmarrje, çka ka çuar në themelimin e organizatave të ndryshme të cilat më pas nëpërmjet mesazheve të tyre me karakter politik ose fetar të përcjella nëpërmjet rrjeteve sociale apo mediave të caktuara ngjallin frikë dhe panik në rradhët e popullsisë.
Interneti është bërë një mjet strategjik për terroristët, të cilët e përdorin këtë aset të teknologjisë për të propaganduar, rekrutuar dhe trajnuar anëtarët e rinj, për mbledhjen dhe transferimin e fondeve, planifikimin dhe kryerjen e mundshme të akteve terroriste, për nxitjen e dhunës dhe ekstremizmit, apo si një “armë’ për realizimin e sulmeve kibernetike.
Abuzimi i industrisë së internetit nga grupet terroriste dhe mbështetësit e tyre zhvillohet në faza të ndryshme.
Ky shfrytëzim i internetit paraqitet në disa forma, konkretisht në forume dhe rrjete sociale që tani përfshijnë, faqet e internetit me përmbajtje terroriste, platformat e errëta të internetit, kompanitë hosting, shërbimet e transmetimit dhe publikimit të materialeve video, botimit dhe publikimit të materialeve e broshurave që përkrahin terrorizmin.
Janë identifikuar tashmë faqe dhe forume online në të cilat mund të gjesh informacion të gjerë se si t’i bashkohesh grupeve terroriste, si të përdorësh armët e zjarrit, e si të krijosh një bombë artizanale.
Disa faqe online japin udhëzime për xhihadistët se si të shpëtojnë nga mbikëqyrja dhe monitorimi i autoriteteve dhe shërbimeve të zbatimit të ligjit.
Është e njohur zakonisht se mediat sociale paraqesin mundësi të mëdha dhe të reja për grupet terroriste që kërkojnë të radikalizojnë audiencat, simpatizantët dhe përkrahësit e tyre.
Përdorimi i rrjeteve sociale dhe aplikacioneve për mesazhe të kriptuara nga ekstremistët i lejon atyre arritjen e objektivave strategjike.
Evoluimi i komunikimit online nga ekstremistët, ka filluar në vitin 2013, ku ekstremistët filluan të adoptojnë aplikacionet për mesazhe të kriptuara. Shumica e anëtare të al-Kaedës dhe lidhjet e tyre filluan të përdorin mediat sociale për të komunikuar dhe shpërndarë propagandë.
Ndaj një nga sfidat e shërbimeve tona inteligjente është përballja me disa nga format e përdorimit të Internetit dhe Teknologjisë për qëllime tërroriste, të cilat janë një rrezik real tashmë.
Këto përpjekje në luftën kundër terrorizmit në të gjitha format që ai paraqitet konsistojnë në marrjen e disa masave paraprake:
• Kundërshtimi i ekstremizmit dhe radikalizimit të dhunshëm që çon në terrorizëm, duke ndjekur një qasje shumëdimensionale;
• Parandalimi dhe bllokimi i burimeve të financimit të terrorizmit;
• Promovimi i dialogut dhe bashkëpunimit në çështjet e kundër-terrorizmit, veçanërisht përmes partneriteteve publike-private midis autoriteteve shtetërore dhe sektorit privat (komunitetit të biznesit, industrisë), si dhe shoqërisë civile dhe mediave;
Nga viti 2015, në platformat Twitter dhe Facebook janë shtuar ndjeshëm bllokimet e llogarive të lidhura me terrorizmin, duke ndihmuar kështu në uljen e aktivitetit të ekstremistëve.
Analistët vlerësojnë se ata prapë do vazhdojnë të përdorin mediat sociale në një shkallë më të vogël, pasi këto platforma ndihmojnë në shpërndarjen e propagandës në shkallë të gjerë.
Analistët vlerësojnë se ekstremistët do të kërkojnë për një mix platformash online, ndaj fuqizimi i strukturave tona me profesionistë të tekonoligjisë dhe informacionit, të krimit kibernetik, trajnimet dhe specializimet e agjentëve e specialistëve të anti-terrorit si dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese do krijojë një ambjent të pafavorshëm në Shqipëri për terrorizmin dhe ekstermizmin e dhunshëm.
Bashkëpunimi i ngushtë i Policisë së Shtetit dhe i agjencive të tjera ligjzbatuese në Shqipëri me partnerët strategjikë ndërkombëtarë në luftë kundër terrorizmit është një tjetër faktor në disfavor të zhvillimit të terrorizmit në vendin tonë.
Por pavarësisht këtyre faktorëve, apo punës parandaluese, lind nevoja për një marrëdhënie më të ngushtë mes Policisë dhe komunitetit të prindërve, me qëllim kontrollin e pandërprë të fëmijëve për komunikimet onlinë në rrjetet sociale.
Përfitoj nga rasti që të ftoj çdo prind, çdo të ri apo të re, çdo grup shpoqëror që konstaton sjelle që çojnë në dyshime për përorim të këtyre aplikacioneve me karakter terrorist, të kontaktojnë menjëherë me Policinë e Shtetit nëpërmjet numrit 112, aplikacionit Komisariati Dixhital, apo në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur që bashkarisht të ndërtojmë një ambjent shoqëror sa më të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ju faleminderit.