Sarandë/Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, bazuar në informacionet e marra se një shtetas po kryente punime pa leje, në fshatin “Gjashtë”, kanë ushtruar kontroll në këtë zonë.
Gjatë kontrollit u konstatua se shtetasi K. T. kishte ndërtuar 2 bazamente me beton, pa lejen e organeve kompetente, të cilat do të përdoreshin për të ndërtuar shtëpi druri.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u ndalua shtetasi K. T., 35 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 34 vjeç, banues në Ksamil, pasi gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, i janë gjetur një fenelinë si e ajo automjeteve të Policisë dhe një mjet prerës. Gjatë shoqërimit, ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Po nga këta specialistë u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. T., 30 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetases V. Ç., një televizor dhe një ventilator.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 28 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.