Sarandë/Shantazhonte dhe kërcënonte një shtetase në rrjetet sociale, vihet në pranga 44-vjeçarja

Sarandë

Shantazhonte dhe kërcënonte një shtetase në rrjetet sociale, i mori 5000 euro dhe i kërkonte edhe 50 000 euro të tjera, vihet në pranga 44-vjeçarja.

Në vijim të veprimeve hetimore, lidhur me kallëzimin e një shtetaseje, e cila kishte deklaruar se i ishte marrë një shumë parash nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bënë të mundur ndalimin e autores së dyshuar të shpallur në kërkim, shtetases:

Z. H., 44 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Shtërngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Kjo shtetase dyshohet se, përmes shantazhit dhe kërcënimeve në rrjetet sociale, i kishte marrë një 39-vjeçareje nga Saranda shumën prej 5000 eurosh dhe vijonte ta kërcënonte për t’i marrë edhe 50 000 euro të tjera.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.