Sarandë/Vijojnë goditjet ndaj krimeve kundër pronës, arrestohen në flagrancë 4 shtetas francezë për vjedhje në Ksamil dhe Sarandë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pronës dhe pasurisë, dokumentuan dy raste vjedhjesh, si rezultat i të cilave u vunë në pranga 4 shtetas francezë, konkretisht:
Në Ksamil, u arrestuan në flagrancë 3 shtetasit P. K., 21 vjeç, H. K., 21 vjeç dhe Y. N., 22 vjeç, banues në Paris, Francë, pasi më datë 04.09.2025, në një lokal në lagjen nr. 3, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë vjedhur disa sende elektrike, shishe me pije alkoolike, si dhe kanë dëmtuar me mjet prerës një mjet lundrues të llojit “gomone”.
Në Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., 27 vjeç, banues në Paris, Francë, pasi më datë 04.09.2025, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 4, Sarandë, dyshohet se i ka vjedhur aparatin celular një shtetasi tjetër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pjesë e sendeve të vjedhura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për të dyja rastet, për veprën penale “Vjedhja”.