Rrogozhinë/Policia arreston një tjetër autor të krimit të zjarrvënies.
Ndezi zjarr, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën disa sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të tij dhe të një shtetasi tjetër, si dhe u rrezikuan pronat përreth, vihet në pranga.
Sapo janë njoftuar për një vatër zjarri, në fshatin Ballaj Vendas, Rrogozhinë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit F. B., banues në këtë fshat.
Shtetasi F. B. kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, për djegien e disa mbeturinave, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur disa sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të tij dhe të një shtetasi tjetër, si dhe janë rrezikuar sipërfaqe të tjera toke dhe banesat përreth.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht. Gjithashtu, i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.