Roli i psikologut në strukturat e Policisë, hartohet udhëzuesi i përbashkët nga PAMECA V, Policia e Shtetit dhe Urdhri i Psikologut

Roli i psikologut në strukturat e Policisë, hartohet udhëzuesi i përbashkët nga PAMECA V, Policia e Shtetit dhe Urdhri i Psikologut.

Misioni PAMECA V, në bashkëpunim me Drejtorinë e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Urdhrin e Psikologut, kanë finalizuar së bashku hartimin e udhëzuesit “Roli i psikologut në strukturat e Policisë”.

Gjatë një ceremonie të zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj dhe Drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit Nikollë Rica, së bashku me presidenten e Urdhrit të Psikologut zj. Valbona Tresa dhe drejtuesin e Projektit Pameca z. Carlo D”Achille, u kanë dorëzuar certifikatat e trajnimit, psikologëve të Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe, të cilët janë trajnuar me udhëzuesin “Roli i psikologut në strukturat e Policisë”.

Punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së misionit të tyre dhe përgjegjësive për ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit, janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rrezikut dhe për rrjedhojë kanë nivele të larta të stresit.

Ky udhëzues do t’i ndihmojë në punën e përditshme, psikologët dhe punonjësit e Policisë, duke përfshirë një dimension të plotë për punën dhe një qasje konkrete mbi mënyrën e ushtrimit të profesionit, kufijve të kompetencave, mënyrën e trajtimit të elementëve të ndryshëm, si stresi apo ankthi në profesionin e punonjësve të Policisë, mënyrën e intervistimit të grupeve vulnerable, seanca psikoterapie etj.

Praktikat më të mira evropiane e cilësojnë psikologun klinik, si profesionist kompetent për përzgjedhjen e kandidaturave për rekrutimin në strukturat e Policisë së Shtetit.

Trajnimet në vazhdimësi dhe përvetësimi me kujdes i këtij udhëzuesi, i cili u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, do të edukojë punonjësit e Policisë, me njohuri për sjelljet njerëzore, për grupet vulnerabël, për intervistimin e të miturve, psikologjinë e turmës, si dhe posttraumat e punonjësve të Policisë.

Një ndër detyrat kryesore të psikologut në Polici, përveçse është prezent për të trajtuar punonjësit, se si duhet të veprojnë në situata të ngarkesës psikologjike të individëve me të cilët kanë kontakt gjatë detyrës, është që t’i trajnojnë punonjësit e Policisë, me mënyrën se si mund të ndihmojnë veten për të zbutur situatat e stresit.

Policia e Shtetit falënderon Urdhrin e Psikologut, autorët dhe drejtuesit e Projektit PAMECA, të cilët financuan dhe kontribuuan për hartimin e këtij udhëzuesi, me shumë vlera për punën e psikologëve, por dhe për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.