Kontrollet e shtuara duke përdorur edhe bazën logjistike më të fundit po parandalojnë dhe godasin rastet e tentativave për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Njëkohësisht, bashkëpunimi me homologët identifikon dhe godet një rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm drejt Anglisë, me qëllim kërkimin e azilit politik.
Vihet në pranga dhe shtetasja që i kishte dhënë ndihmë shtetases që u kap në Angli, duke përdorur gjeneralitetet e saj.
Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara, duke përdorur edhe bazën logjistike bashkëkohore për evidentimin e rasteve të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara, kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”, shtetasit:
-I. K., 21 vjeç, mbajtës i pasaportës italiane, i cili udhëtonte me linjën ajrore me itinerar Itali-Rinas. Pas verifikimit në laborator pasaporta italiane dhe karta e identitetit italiane rezultuan të falsifikuara. Nga kontrolli në vijën e dytë iu gjet e fshehur në çantën e tij edhe pasaporta shqiptare me të dhënat e tij.
-A. A., 26 vjeç, mbajtës i pasaportës siriane, i cili ka paraqitur pasaportën siriane dhe biletë me destinacion Gjermaninë. Nisur nga dyshimet në shkrimin e vizës dhe elementet e sigurisë së vizës gjermane, janë krijuar dyshime se viza mund të ishte e falsifikuar. Pas kontrollit të detajuar rezultoi se viza ishte e falsifikuar.
Njëkohësisht, falë shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe homologëve, si rezultat i një pune të mirorganizuar dhe profesionale u bë i mundur dokumentimi dhe ndalimi i shtetases M. B., 22 vjeçe. Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë në dalje të Republikës së Shqipërisë, në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 23.08.2020, ku shtetasja shqiptare S. D. ka udhëtuar nga Italia në drejtim të Anglisë, e cila është kapur nga autoritetet angleze me dokumente të falsifikuara, kartë identiteti italiane dhe kartë shëndeti me të dhënat dhe gjeneralitetet e shtetases M. B.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.