Policia Kufitare Rinas
Goditet një rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara.
Arrestohen në flagrancë dy shtetas turq.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, gjatë kontrolleve të detajuara të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë dhe dalin nga kjo pikë e kalimit kufitar, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente false.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
H. K., 29 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, të dy me kombësi turke, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit në dalje, shtetasi H. K., i cili do të udhëtonte në itinerarin Tiranë–Luton, së bashku me shtetasin A. H., paraqiti një pasaportë greke, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar. Të dy shtetasit u kaluan në vijë të dytë për kontroll më të detajuar.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën shtetasit H. K. një kartë identiteti dhe një leje drejtimi greke, të dyshuara si të falsifikuara. Gjithashtu, edhe pasaporta greke e paraqitur rezultoi e falsifikuar.
Ndërkohë, në çantën e shpinës së shtetasit A. H., shërbimet e Policisë gjetën një pasaportë turke me të dhënat e shtetssit H. K., e cila, pas ekzaminimit në laborator, rezultoi dokument i rregullt. Në bagazhet e shtetasit A.H, Policia gjeti një pasaportë greke, një kartë identiteti greke dhe një leje drejtimi greke me të dhënat e shtetasit Y. Y., të cilat, pas ekzaminimit paraprak në laborator, rezultuan të falsifikuara.
Materialet u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia Kufitare Rinas mbetet e angazhuar për garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve, menaxhimin e fluksit gjatë sezonit turistik, si dhe për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.