Rinas – Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit

Operacioni i koduar “SIMILARITY” u zhvillua nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

 Vihet në pranga një shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.

 Sekuestrohet pasaporta e shtetasit të shpallur në kërkim që do ta përdorte shtetasi i arrestuar.

 Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Rinas u godit një tjetër rast i tentativës për kalim të kufirit me dokumente me ngjashmëri.

 Falë koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SIMILARITY”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: E. A., 24 vjeç, lindur dhe banues në Gane.

 24-vjeçari tentoi të kalonte nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Rinasit me një pasaportë me ngjashmëri, por u bllokua nga kontrollorët e Policisë Kufitare të Rinasit, bazuar edhe në informacionet që dispononin Policia Kufitare dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.

 Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas, pasi ka siguruar paraprakisht kundrejt shpërblimit monetar pasaportën e shtetasit nigerian O. O., duke përfituar nga ngjashmëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së me pasaportën e këtij shtetasi.

 Po nga hetimet e kryera dyshohet se ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë në organizimin dhe gjetjen e personave me ngjashmëri për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, për të cilët po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

 Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.