Reagim/Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë e deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri – Angli

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë e deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Anglisë.

Në datën 25 shkurt, në ambientet e Policisë së Shtetit, me përfaqësues të FSHF, zotin Lysien Nurishmi, është zhvilluar një takim para-përgatitor ndërmjet përfaqësueseve të FSHF-së dhe drejtuesve kryesorë të strukturave të Policisë së Shtetit. Aty u ra dakord për marrjen e masave për zhvillimin normal të këtij aktiviteti, sa i përket rendit dhe sigurisë, si dhe të gjitha detyrimet për eskortimet dhe garantimin e sigurisë së lojtarëve të ekipit mik.

Në datë 3 mars, Federata Shqiptare e Futbollit i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me shkresë, ku ka kërkuar marrjen e masave për garantimin e sigurisë së ndeshjes ndërkombëtare të futbollit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, pasi ka bërë rigonicionin e perimetrit të jashtëm të sigurisë të stadiumit, nisur edhe nga shqetësimi i bërë publik nga vetë FSHF, se rreth stadiumit dhe në hyrjet kryesore janë të vendosura subjekte biznesi në fusha të ndryshme, konstatoi se kishte burim rreziku për mbarëvajtjen e ndeshjes. Në këtë kuadër i ka kërkuar FSHF-së bashkëpunimin për sigurinë e aktivitetit, kjo edhe përmes komunikimit shkresor.

Në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar planin e masave duke përcaktuar detyra konkrete për të gjitha strukturat e Policisë që do të jenë të angazhuara. Gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë të ekipit mik, do të angazhohen strukturat e DVP Tiranë dhe Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Duke shprehur keqardhje për reagimin e nxituar në media të FSHF-së, në kundërshtim të hapur me frymën e bashkëpunimit mes dy institucioneve, rikujtojmë se komunikimin FSHF, si për çdo ndeshje ndërkombëtare e ka mbajtur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe jo me DVP Tiranë.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri – Angli.